Nga Redaktori

Të dashur lexues vijmë përsëri tek ju me numrin e katërt që është edhe i fundit për volumin e parë të Çunat e Biblës në gjuhën shqipe. Është vjeshtë dhe këtu në Massachusetts ndodh një nga dukuritë më të mrekullueshme të natyrës. Gjethet e pemëve fillojnë të ndryshojnë ngjyrë, dhe gjëja më e çuditshme është se një pemë ka njëkohësisht gjethe të gjelbra, të kuqe , vishnje, të verdha etj. Por siç e kam përjetuar edhe vetë jo më pak e mrekullueshme dhe spektakolare është ardhja e kësaj stine edhe në Shqipëri.

Ky numër i buletinit tonë sjell tek ju disa artikuj të një rendësie pak si më të veçantë nga herët e tjera. Shumëkujt mund t’i duket diçka e çuditshme për arsye se janë artikuj që nuk u janë servirur të krishterëve më parë. Ajo ç’ka nevojitet nga ata që e lexojnë është dëshira, vullneti dhe durimi për të mësuar për besimin tonë tek Jezusi.

Vlen si shembull inisiativa e disa kishave të Shqipërisë për përhapjen e Ungjillit në Kosovë nga ku informacionet na vijnë se në mënyre të habitshme ekzistonte mungesa e kishave evangjeliste atje.

Nëse do të nevojitet ndonjë numër i veçantë i buletinit tonë posaçërisht për në Kosovë do ishim më se të lumtur t’ju ofronim ndihmën tonë.

Duam të falenderojmë Drini Imamin dhe Rozeta Shkëmbin për shpërndarjen e këtij buletini, kishën Fjala e Jetës për Biblat që na ofruan dhe gjithashtu mamanë time Ganimete Hoxha për një ndihmë aq të vyer duke na dërguar disa Bibla në gjuhën shqipe për kosovarët që ndodhen këtu.

Pari Hoxha
Redaktor dhe përkthyes